BB: Kujdesi për fëmijët në çerdhe e kopshte mbetet i kufizuar dhe i shtrenjtë në Shqipëri
Raporti i Bankës Botërore evidenton se kujdesi për fëmijët në Shqipëri mbetet i pabarabartë, ndërsa kostot e larta dhe mungesa e shërbimeve në zonat rurale vazhdojnë të rëndojnë familjet.
Përdorimi i çerdheve dhe kopshteve në Shqipëri vijon të mbetet i kufizuar, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato që jetojnë në zonat rurale, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore mbi kujdesin dhe arsimin për fëmijët e vegjël në rajon.
Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja në arsimin dhe kujdesin për fëmijët e vegjël në Ballkanin Perëndimor është mesatarisht rreth 51%, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen me mesataren e vendeve të OECD-së prej 84%.
Megjithatë, situata mbetet më problematike për fëmijët nën moshën tre vjeç, ku pjesëmarrja në çerdhe është shumë më e ulët krahasuar me mesataren e OECD-së prej 32%, duke bërë që shumica e fëmijëve të vegjël të qëndrojnë në shtëpi.
Dallime të mëdha mes qytetit dhe fshatit
Raporti evidenton se përdorimi i çerdheve dhe kopshteve ndryshon ndjeshëm sipas nivelit të të ardhurave dhe vendbanimit.
Në zonat urbane të rajonit, rreth 58% e familjeve me fëmijë nën 6 vjeç përdorin shërbime kujdesi dhe edukimi për fëmijët, ndërsa në zonat rurale kjo shifër zbret në vetëm 30%.
I njëjti trend vërehet edhe në Shqipëri, ku familjet që jetojnë në qytete dhe kanë të ardhura më të larta kanë akses më të madh në çerdhe dhe kopshte, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta mbeten shpesh jashtë sistemit.
Kosto të larta për familjet
Banka Botërore thekson se kostoja është një nga pengesat kryesore për përdorimin e kujdesit formal ndaj fëmijëve.
Në rastet kur familjet nuk sigurojnë vende në institucionet publike, ato detyrohen të përdorin shërbime private, të cilat janë shumë më të kushtueshme.
Sipas raportit, tarifat private në rajon janë deri në 16 herë më të larta se ato publike nëdisa vende. Për familjet me dy fëmijë dhe vetëm një prind të punësuar, kujdesi privat mund të përbëjë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore.
Raporti nënvizon se edhe në Shqipëri kostot e larta dhe mungesa e kapaciteteve publike kufizojnë aksesin e familjeve në këto shërbime.
Kujdesi në shtëpi dhe ndikimi te gratë
Një pjesë e madhe e familjeve në rajon deklarojnë se nuk përdorin çerdhe apo kopshte, sepse kujdesi për fëmijët ofrohet nga familjarët.
Sipas raportit, mesatarisht 36% e familjeve preferojnë kujdesin në shtëpi, një situatë që lidhet edhe me pritshmëritë sociale që kujdesi për fëmijët të mbetet kryesisht përgjegjësi e grave.
Kjo ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe në mundësitë e tyre ekonomike.
Nevojë për më shumë investime dhe zgjerim të shërbimeve
Banka Botërore vlerëson se, megjithëse Shqipëria ka bërë progres në zgjerimin e rrjetit të çerdheve dhe kopshteve, oferta mbetet ende e pamjaftueshme, veçanërisht në zonat rurale.
Sipas raportit, zgjerimi i këtyre shërbimeve mund të ketë ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe social, duke krijuar vende të reja pune dhe duke rritur pjesëmarrjen e grave në ekonomi.
Në nivel rajonal, rritja e aksesit në kujdesin formal për fëmijët mund të krijojë rreth 24 mijë vende të reja pune, përfshirë mësues, staf administrativ dhe role mbështetëse.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)